Dhe sot më 7 Mars 2021, duke ju dëshiruar të gjithëve shëndet dhe një ditë të mbarë kam edhe një urim të veçantë, për të gjithë ata, të cilët kanë punuar dhe punojnë në shërbim të shkollës shqipe. Gëzuar! – paçi forcë, guxim dhe atdhedashuri tërë jetën sepse ATDHEU ka nevojë për ju. “Heronjtë” e diturisë janë ata, të cilët ngjallin shpresë, nxisin përkushtim dhe hapin shtigje të reja për një të ardhme më të mirë të kombit. Mësuesit në vazhdimësi kanë qenë shembulli më mirë i sakrificës dhe angazhimit kombëtar. Ata që ruajnë shkronjat e shqipes dhe i përcjellin me një dashuri të veçantë te më të vegjlit, që nesër janë e ardhmja jonë, meritojnë respekt, jo vetëm në këtë ditë festive. Si zakonisht tema e një feste na përcakton se çka të themi dhe si t`i formulojmë fjalitë. Por, unë do të bëj një përjashtim duke vënë theksin te mësuesit e mërgatës shqiptare, të cilët edhe pse në kushte të pabarabarta me kolegët e tyre, ku ata veprojnë dhe punojnë, vazhdojnë misionin e tyre me përkushtim, që të mbjellin sa më shumë dashuri për gjuhën shqipe. Dhe kjo dashuri përfshinë në gjirin e vet fëmijët e mërgimtarëve tanë, të cilët lindin dhe rritën larg atdheut, por me një përkushtim të veçantë ndaj gjuhë së nënës.
Kolegë të nderuar, ju jeni ata, të cilët me punën tuaj ngjallni shpresë, në ruajtjen e identitetit kombëtar, gjuhës dhe kulturës kombëtare. Ju lumtë!
Dhe sot, për dallim nga vitet e kaluara, kësaj feste i bashkëngjitet edhe Këshilli Koordinues i Arsimtarëve në Diasporë (KKAD), i cili me punën dhe angazhimin arriti t`i bindi institucionet tona, se një bashkëpunim me ne, ia vlen, në shërbim të organizimit sa më të mirë të shkollës shqipe në mërgatë.
Dhe në fund të urimit mund të themi, sa herë që marrim rrugën bashkërisht nën hijen e gjuhës shqipe dhe flamurit kombëtar gjithmonë dalim faqebardhë.
Prandaj nga zemra ju uroj, Gëzuar! – Gëzuar 7 Marsin – Ditën e Mësuesit!
Këshilli Koordinues i Arsimtarëve në Diasporë (KKAD)