Këshilli i Mësimit Shqip për Diasporë në unifikimin e Diasporës

Shqiptare për shkollën shqipe.

”NJË GJUHË NJË KOMB”

“Këshilli i Mësimit Shqip për Diasporë” (KMSHD-ë) në takimet e organizuara deri më tani, të mbajtura përmes zoom, në vizionin dhe misionin e tij, ka vënë në rend të parë sensibilizimin e mërgimtarëve shqiptarë, në përkrahjen e shkollave shqipe, me qëllim që të ruajmë sa më lehtë gjuhën amtare te fëmijët tanë. Ruajtja e gjuhës amtare, për mërgimtarët shqiptarë kudo qofshin ata, duhet të merret si obligim kombëtar, sepse humbja e gjuhës shoqërohet edhe me pasoja serioze të fëmijët shqiptarë, që lindin dhe rritën në mërgim. Në këto takime, përpos tjerash u tha: “Numri i atyre fëmijëve që e vijojnë mësimin plotësues në gjuhën amtare nuk është i kënaqshëm. Për këtë të fajshëm nuk mund të jenë vetëm prindërit, edhe pse pjesa më e madhe e tyre nuk tregojnë aq interes për t’i dërguar fëmijët e tyre në shkollën shqipe. Megjithatë, këtë përgjegjësi duhet ta kenë edhe institucionet tona shtetërore, që deri më tani nuk kanë qenë të koordinuara si duhej me shoqatat ekzistuese, të cilat, këto të fundit, bartin mbi supet e veta, vullnetarisht, këtë proces mësimor, që gjuha, kultura dhe atdheu i tyre të mos jetë larg fëmijëve. Ky proces jo vetëm që ka krijuar vështirësi të organizimit të përbashkët, po u ka lënë mundësi vetorganizimi shoqatave ekzistuese në diasporë, të cilat nuk janë të koordinuara në mbarë mërgatën shqiptare, por secila vepron në mënyrën e vet, sipas kushteve dhe mundësive që i krijohen në shtetin përkatës, ku ato veprojnë”.

Rreth këtij qëndrimi kishte mendime të ndryshme të anëtarëve të KMSHD-së, po që të njëjtit mendim ishin, se pa një bashkëpunim të mirëfilltë institucional me institucionet shqiptare (Shqipëri – Kosovë) vështirë se mund të ketë suksese të arritshme dhe rritje të numrit të nxënësve, dhe ndërgjegjësim të lartë për shkollën shqipe. Më tej Krasniqi tha: “Ne duhet të jemi zëri i vërtetë i mërgatës, që këtë zë besnikërisht ta përçojmë te institucionet tona të atdheut dhe së bashku të kërkojmë nga bashkëkombësi ynë mërgimtarë të ndërgjegjësohet, që fëmijët e tyre t’i sjellin në shkollën shqipe ”. Kurse për bashkëpunimin e ndërsjellët me institucionet tona, Ardiana Bejko tha: “Ne dhe jemi në këtë rrugëtim të mirë të bashkëpunimit dhe përkrahi mendimin, se duhet të jemi zëri i diasporës, po që institucionet tona duhet të jenë përgjegjëse, ngaqë dhe e kanë obligim institucional e kombëtar”. Si kurrë më parë kemi përkrahjen institucionale dhe për këtë besoj se

së bashku do të arrijmë realizimin e vizionit dhe misionit tonë si KMSHD për unifikimin e diasporës shqiptare, për shkollën shqipe, tha z. Vaxhid Sejdiu.

Ky grup intelektualësh, me titujt të lartë shkencorë, krijues dhe njohës të mirë të metodologjisë didaktike dhe asaj linguistike, nga shtetet ku ka më shumë shqiptarë (nga ShBA, Italia, Anglia, Gjermania, Zvicra, Austria, Sllovenia, Kroacia, Greqia, Kanadaja dhe Turqia), guximshëm po i qasen këtij problemi, të cilët i kanë parashtruar vetes si detyrë, unifikimin e shkollave shqipe, koordinimin e disa faktorëve kryesorë në funksionimin e mbrojtjes së gjuhës shqipe dhe identitetit kombëtar. Ky rrugëtim do të zhvillohet në bashkëpunim të ngushtë me institucionet tona: Ministritë e Arsimit, ato të Diasporës dhe ato të Punëve të Jashtme, të të dyja shteteve shqiptare, Ambasadat dhe Konsullatat e Republikës së Shqipërisë dhe të Kosovës, për të pasur sukses në mbrojtjen dhe ngritjen e vetëdijes kombëtare për shkollën shqipe në Diasporë.

Pra, thënë shkurt vizioni këtij Këshilli është sensibilizimi i gjithë faktorëve kombëtar (prindërit, shoqatat dhe institucionet shtetërore) që sa më parë të arrijmë në një platformë kombëtare, për një shkollë shqipe kombëtare, të unifikuar dhe funksionale. Dhe thënë realisht më se tridhjetë vjet zhvillohet mësim në gjuhën amtare në disa shtete të Evropës, por ende nuk kemi as tekste të unifikuara, as tekste të përshtatshme për këtë lloj mësimi që zhvillohet në kushte dhe rrethana të veçanta dhe as dokumentacion pedagogjik të njëjtë.

Ndërsa Misioni i KMSHD-së, është bashkimi i forcave përparimtare arsimore dhe shkencore në Diasporë dhe së bashku me Institucionet tona të realizojmë zgjidhjen e kërkesave të atyre problemeve kyçe në unifikimin e shkollave shqipe në Diasporë, e cila ka për qëllim mbrojtjen e gjuhës dhe të identitetit kombëtar, të mbështetur në baza të forta didaktike, linguistike dhe ato shkencore, me moto ”një gjuhë një komb”, që dhe duhet të jetë unike për të gjitha shkollat shqipe: Gjuha, platforma digjitale, tekstet shkollore, tekstet plotësuese, dokumentacioni pedagogjik, pavarësisht nxënësit se nga cilat troje shqiptare vijnë, tha Sejdiu.

Nga këto takime u dhanë shumë mendime e propozime ku dhe u miratua rregullorja e KMSHD-së, dhe u mor vendim që t`iu dërgohet një “letër njoftuese institucioneve shqiptare”, edhe atë institucioneve përkatëse: Ministrisë së Arsimit, Ministrisë së Diasporës, Ministrisë së Punëve të Jashtme, Ambasadave dhe Konsullatave të dy shteteve shqiptare të Republikës së Shqipërisë dhe të Republikës së Kosovës, se me datën 5 Korrik 2020 u themelua “Këshilli i Mësimit Shqip për Diasporën” prej 15 anëtarëve: dr. Adriana Fishta-Bejko (Kanada), dr.Vaxhid Sejdiu (Zvicër), Mustafë Krasniqi (Gjermani), Mira Shehu (Kanada), Miradije Berisha (Austri), Teuta Tabaku (Turqi), Rexhep Rexhepi (Zvicër), Aurela Kondi (Greqi), Armanda Haruni-Amiti (Slloveni), Anila Kadija (Angli), Mimoza Bejkollari-Dako (Zvicër), Dritan Mashi (Itali), Melita Oreskovic (Kroaci), Qemail Zylo (ShBA) dhe Isuf Bytyçi (Gjermani), me kryetar dr.Vaxhid Sejdiu, nënkryetare Mira Shehu dhe sekretare Teuta Tabaku.

Ky Këshill, me profesionalizmin e vet shkencor, didaktiko-lingustik u zotua se do të jetë në ballë të detyrës, në unifikimin e shkollës shqipe, në bashkëpunim me shoqatat, këshillat e prindërve dhe prindërit e diasporës shqiptare, si dhe me institucionet tona, Qendrën e botimeve të dy shteteve tona shqiptare. Këshilli do të mbështetet në platformën unifikuese të mbarë Diasporës shqiptare, duke qenë zëri i arsyes në përcjelljen e shqetësimit, për shkollën shqipe, tek institucionet tona duke ua bërë me dije, se nëse nuk i qasemi me seriozitet këtij problemi të ndjeshëm, në të ardhmen ka drojë se do të përballemi, me të padëshirueshmen, me asimilimin e fëmijëve mërgimtarë-shqiptarë!

Si rrjedhojë e këtyre takimeve, në kuadër të KMSHD-së u themeluan edhe tre sektori: Sektori Pedagogjik, Informimit dhe ai Organizativ, të cilat do të angazhohen në detyrat e tyre profesionale, në bashkëpunim të ngushtë me institucionet tona në atdhe. Ndërsa në takimin e fundit, më 29.08.2020, u shtrua si nevojë e domosdoshme angazhimi rreth fillimit të vitit shkollor, që si problem në vete ka krijuar pandemia Covid 19. Në këto diskutime dolën kërkesat, që KMSHD-ja t’i drejtohet Qendrës së Botimeve për Diasporë të hartoj projekte digjitale për mbajtjen e mësimit onlein për ato shkolla, që për shkak pandemisë nuk kanë mundësi të mbajnë mësim në klasa.

KMSHD-ë me angazhimin e tij, do të jetë urë lidhëse dhe zë i fuqishëm në unifikimin e shkollës shqipe në Diasporë dhe njëkohësisht do të kërkoj nga institucionet shtetërore, të Tiranës dhe Prishtinës, të kenë një bashkëpunim të thellë institucional në këtë drejtim. Po ashtu u kërkua që sektori informimit të jetë afër mediave, konkretisht të kërkoj nga TV publike, që të krijojnë hapësirë për shkollën shqipe në Diasporë.

Sektori i informimit të KMSHD-së