SË BASHKU TA REALIZOJMË ËNDRRËN “Gurë, gurë bëhet mur dhe mur, mur bëhet kala”!
SË BASHKU TA REALIZOJMË ËNDRRËN
“Gurë, gurë bëhet mur dhe mur, mur bëhet kala”! – thotë një fjalë popullore. Në të njëjtën mënyrë, filluan angazhimin e tyre të përbashkët një grup mësuesish të devotshëm në mërgatën shqiptare. Mësimdhënës me përvojë shumëvjeçare, nga të gjitha trojet shqiptare dhe nga trembëdhjetë shtete të botës. Të nisur nga dëshira e madhe, për t`i shërbyer me punën e tyre, edhe më shumë gjuhës dhe shkollës shqipe, për të qenë sa më afërm fëmijëve shqiptarë, që lindin dhe rritën larg atdheut, para disa muajve themeluan “Këshillin e Mësimit Shqip në Diasporë”. Porosia ishte i qartë, Shkolla Shqipe duhet të unifikohet, ajo nuk duron më këtë laramani: ajo duhet të ketë planprogram mësimor të njëjtë, tekste shkollore të njëjta, platformë digjitale të njëjtë si dhe dokumente të njëjta shkollore. Të gjithë shqiptarët nga do që të vinë dhe kudo ku jetojnë, flasin të njëjtën gjuhë sepse kanë të njëjtin identitet kombëtar – thjeshtë kanë një Atdhe.
Prandaj, ne administratorët e faqes zyrtare i ftojmë të gjithë ata që duan të kontribuojnë në shërbim të gjuhës, historisë dhe kulturës kombëtare shqiptare, t`i bashkëngjitet këtij rrugëtimi të vështirë, por shumë të rëndësishëm për gjeneratat. Fëmijët në mërgatën-shqiptare, janë duke u ballafaquar me vështirësi të ndryshme në raport me kultivimin dhe ruajtjen e kulturës dhe gjuhës së tyre! Prandaj, ejani që së bashku ta realizojmë ëndrrën, për një mësimdhënie të unifikuar, me qëllim të funksionimit dhe mbrojtjes së gjuhës shqipe, që përmes saj, të ruajmë identitetin kombëtar, të mbështetur në baza të përgjithshme, të organizuar më mirë, si në aspektin; didaktik, pedagogjik, linguistikë dhe shkencor.
Kjo faqe është e hapur për shkrimet, mendimet, analizat, vërejtjet, kritikat e këshillat e juaja në dobi të kulturës, historisë dhe mësimit plotësues në gjuhën shqipe, për mërgatën dhe, në përgjithësi të kombit shqiptar, nga njohësit e kësaj fushe.
Të gjitha shkrimet, të cilat mbrojnë interesin e përgjithshëm kombëtar, në veçanti të gjuhës shqipe dhe mësimit plotësues, në përkrahje të shkollës shqipe në diasporë-mërgatë, jashtë ideologjisë politike dhe asaj fetare, natyrshëm do të gjejnë vend në këtë faqe.
Të gjithë ata, që dëshirojnë të kontribuojnë në këtë drejtim, punimet e tyre na i sjellin në faqen zyrtare.