Në zbatim të Ligjit nr.16, datë 18.04.2018 “Për diasporën”, të Vendimit të Këshillit të Ministrave “Për krijimin e Qendrës së Botimeve për Diasporën”, nr. 469, datë 26.07.2018, i ndyshuar, si dhe Ligjit nr. 7961, datë 12. 07. 1995 “Kodi i Punës së Republikës së Shqipërisë” i ndryshuar, QBD-ja shpall  konkursin për pozicionin vakant:

Specialist jurist, në Sektorin e Financës dhe Shërbimeve Mbështetëse

Kategoria e pagës për këtë pozicion është IV-a

Përshkrimi përgjithësues i punës për këtë pozicion:

  1. Ofron këshillim ligjor, sipas kërkesës, për drejtorin dhe sektorët me qëllim aplikimin e drejtë të ligjit;
  2. Koncepton të gjitha aktet administrative dhe shkresa të ndryshme që nxirren nga QBD-ja në përputhje me ligjin;
  3. Harton të gjitha aktet administrative sipas procedurave ligjore që parashikohen në Kodin e Procedurave Administrative, Kodin e Punës dhe në legjislacionin në fuqi në lidhje me emërimin, masat disiplinore dhe largimin nga detyra të punonjësve dhe mban regjistrin e tyre, duke bërë përditësimin sipas rastit;
  4. Harton të gjitha kontratat që QBD-ja lidh me subjekte të ndryshme, qofshin këta persona fizikë apo juridike;
  5. Përfaqëson QBD-në në të gjitha nivelet e gjykatave për çështjet ku ajo është palë apo palë e interesuar me qëllim mbrojtjen e interesave të institucionit;
  6. Bën interpretimin juridik të korespondencës zyrtare që ka të bëjë me punën e QBD-së;
  7. Asiston, sipas kërkesës, në përgatitjen e të gjithë projektkontratave të kërkuara për krijimin e marrëdhënieve ligjore me palët e treta duke ofruar opinionin ligjor përkatës;
  8. Kontrollon, dhe kur është e nevojshme, harton të gjitha aktet ligjore (ankimime, rekurse, pretendime, prapësime, akt-ekspertime etj.) për sigurimin e një përfaqësimi sa më të denjë të QBD-së në të gjitha nivelet e gjykatës;
  9. Raporton periodikisht tek eprori përkatës në lidhje me shkresat që i adresohen drejtorisë, kthimin e përgjigjeve si dhe statistika të tjera të aktivitetit ditor;
  10. Nën drejtimin e drejtorit, siguron të dhënat e nevojshme nga strukturat përkatëse në institucion për përgatitjen e regjistrit të parashikimit dhe regjistrit të realizimit të procedurave të prokurimit publik;
  11. Përgjigjet tek drejtori për menaxhimin e çështjeve që lidhen me procedurat e prokurimit për t`u zhvilluar në institucion, duke bashkëpunuar edhe me sektorët e tjerë për realizimin e planit të vjetor të prokurimit;
  12. Është personi përgjegjës që merret me administrimin e dosjeve të punonjësve dhe të masave disiplinore të dhëna ndaj tyre;
  13. Zbaton kërkesat e Ligjit nr 9643 datë 20.11.2006, i ndryshuar, VKM Nr 914, datë 29.12.2014 si dhe udhëzimet përkatëse deri në raportimin përfundimtar të ekzekutimit të kontratës;
  14. Përgatit shkresa përcjellëse, kthim përgjigje apo korrespondencë tjetër të nevojshme me institucione publike ose kompani private sipas detyrave të dhëna dhe afatit të përcaktuar nga përgjegjësi i sektorit/drejtori i QBD-së;
  15. Kryen çdo detyrë tjetër të ngarkuar nga Drejtori i QBD-së në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe brenda objektivave të punës së tij.

Kushtet që duhet të plotësojë kandidati në procedurën e konkurimit publik:

  • Të jetë shtetas shqiptar;
  • Të ketë zotësi të plotë për të vepruar;
  • Të zotërojë gjuhën shqipe të shkruar dhe të folur;
  • Të jetë në kushte shëndetësore që e lejon të kryejë detyrën përkatëse;
  • Të mos jetë dënuar me vendim të formës së prerë të gjykatës për kryerjen e një krimi apo për kryerjen e një kundravajtje penale me dashje;
  • Ndaj tij të mos jetë marrë masë disiplinore e largimit nga puna për shkak të një shkeljeje të rëndë disiplinore;
  • Të plotësojë kërkesat e posaçme për nivelin e arsimit, përvojës dhe të zotërojë aftësitë e nevojshme profesionale për vendin përkatës të punës;

Kandidatët duhet të plotësojnë kërkesat e posaçme sa vijon:

  1. Të zotërojë diplomë të nivelit “ Master Shkencor ose Profesional” në Shkenca Juridike. Edhe diploma e nivelit “Bachelor” të jetë  në të njëjtën fushë;
  2. Të kenë të paktën 2 vite përvojë pune në fushën përkatëse.

Dokumentacioni, mënyra dhe afati i dorëzimit

Kandidatët që aplikojnë duhet të dorëzojnë dokumentet si më poshtë:

  • Jetëshkrimi (CV);
  • Fotokopje të diplomës (përfshirë edhe diplomën Bachelor). Për diplomat e marra jashtë Republikës së Shqipërisë  të përcillet njehsimi nga Ministra e Arsimit dhe Sportit dhe listën e notave.
  • Fotokopje të letërnjoftimit (ID);
  • Fotokopje të librezës së punës (të gjitha faqet që vërtetojnë eksperincën në punë);
  • Vetëdeklarim të gjendjes gjyqësore;
  • Vërtetim të gjendjes shëndetësore;
  • Çdo dokumentacion tjetër që vërteton trajnimet, kualifikimet, arsimin shtesë, vlerësimet pozitive, rekomandime apo të tjera të përmendura në jetëshkrimin e kandidatit.

Aplikimi dhe dorëzimi i dokumentave të bëhet brenda datës 06.07.2022 pranë Zyrës së Protokollit të QBD-së ose në adresën e e-mailit info@qbd.gov.al:

Në datën 06.07.2022, QBD do të shpallë në faqen zyrtare të internetit listën e kandidatëve që plotësojnë kushtet dhe kërkesat e posaçme për të vijuar me testimin, si dhe datën, vendin dhe orën e saktë kur do të zhvillohet intervista.

Në të njëjtën datë kandidatët që nuk plotësojnë kushtet për t’u futur në konkurim dhe kërkesat e posaçme do të njoftohen individualisht nga QBD për shkaqet e moskualifikimit (nëpërmjet adresës së e-mail).

MËNYRA E VLERËSIMIT TË KANDIDATËVE

Kandidatët do të vlerësohen në lidhje me dokumentacionin e dorëzuar:

Kandidatët do të vlerësohen për përvojën, trajnimet apo kualifikimet e lidhura me fushën, si dhe certifikimin pozitiv.

Totali i pikëve  për këtë vlerësim është 60 pikë.

Kandidatët gjatë intervistës së strukturuar me gojë do të vlerësohen në lidhje me:

  1. Njohuritë, aftësitë, kompetencën në lidhje me përshkrimin e pozicionit të punës;
  2. Eksperiencën e tyre të mëparshme;
  3.  Motivimin, aspiratat dhe pritshmëritë e tyre për karrierën;

Totali i pikëve  për këtë vlerësim është 40 pikë.

Data e daljes së rezultateve të konkurimit dhe mënyra e konkurimit

Në përfundim të vlerësimit të kandidatëve, Qendra e Botimeve për Diasporën do të shpallë fituesin në faqen zyrtare të ëebit. Të gjithë kandidatët pjesëmarrës në këtë procedurë do të njoftohen individualisht në mënyrë elektronike nga QBD-ja (nëpërmjet adresës së e-mail).