Për herë të parë një shkollë verore për fëmijët e Diasporës.
Qendra e Botimeve për Diasporën hapi Shkollën Verore për Fëmijët e Diasporës, e para në llojin e saj në Shqipëri dhe nisma më e fundit në serinë e aktiviteteve të organizuara prej saj, me qëllim ruajtjen e identitetit të kulturës shqiptare dhe të gjuhës shqipe në diasporë.
Kjo është një mundësi e re dhe e veçantë për fëmijët shqiptarë të rritur jashtë atdheut për t’u afruar me vendin e origjinës dhe për të mësuar edhe më tepër rreth tij, duke folur, dëgjuar e parë shqip.
Greqia, vendi me numrin më të madh të të mërguarve në Diasporë bëhet shenjuesja e parë e këtij projekti-pilot, i cili ndër të tjera është edhe një mënyrë për të nxitur dëshirën për t’u lidhur edhe më shumë me dheun amë, dhe pse jo edhe për të rritur mundësinë e kthimit.
Një program mjaft i pasur ndërthur veprimtari të ndryshme interesante dhe didaktike njëkohësisht, për fëmijët e shkollës shqipe në Greqi, të cilët do të jenë vazhdimisht nën kujdesin e mësuesve të tyre shoqërues dhe të stafit të QBD-së.
Nxënësit, të përzgjedhur për nisjen e projektit-pilot, kanë mundësi të ndjekin mësime të gjuhës shqipe dhe të kulturës shqiptare, po vizitojnë qytete me rëndësi historike e kulturore të Shqipërisë, si: Berati, Shkodra, Tirana, Lezha e Kruja dhe po marrin pjesë në veprimtari zbavitëse e njohëse në të njëjtën kohë, që të gjitha me kryefjalë gjuhën si pjesë e rëndësishme e vetëdijes dhe identitetit kombëtar.
Shkolla është konceptuar si një udhëtim gjuhësor, ndërveprues, njohës e argëtues kushtuar gjuhës shqipe e kulturës shqiptare.
Fëmijët që ndjekin mësimin e gjuhës shqipe në mërgatë, vajza dhe djem të Shqipërisë tjetër, asaj të Diasporës, që mbetet e pandarë nga rrënjët e saj, nuk janë turistë në kuptimin tradicional të fjalës. Ata nuk vijnë thjesht për t’u kënaqur për pak kohë, por për të krijuar histori të reja dhe për marrë kujtime e rrëfime që do t’ua përcjellin më pas miqve, shokëve në vendin ku jetojnë, duke u bërë kështu ambasadorë të gjuhës amtare dhe të kulturës së tyre të origjinës.